Inflacioni nuk ndalet në Kosovë, çmimet në qershor u rritën për 6 për qind
Çmimet e konsumit janë rritur në qershorin e këtij vitit krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin qershor 2026, krahasuar me muajin qershor 2025.
Kostoja e jetesës në Kosovë vazhdon të rritet për çdo ditë. Të dhënat më të reja të Agjencisë së Statistikave tregojnë se inflacioni vjetor në muajin qershor 2026 ka arritur në 6,0 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Edhe pse në baza mujore është regjistruar një rënie e lehtë prej 0,1 për qind, kjo nuk ndryshon faktin se shumica e grupeve kryesore të produkteve dhe shërbimeve vazhdojnë të kushtojnë më shumë sesa një vit më parë.
Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), rritja më e madhe është shënuar te transporti, ku çmimet janë rritur me 13,7 për qind, duke e bërë këtë grupin me ndikimin më të madh në inflacionin vjetor.
“Në muajin qershor 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) pësoi rënie në një mesatare prej -0,1 % krahasuar me muajin maj 2026. Rënia është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: ushqime dhe pije joalkoolike (-0,6 %) dhe strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-0,3 %)”, thuhet në njoftim.
Menjëherë pas tij renditet grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me një rritje prej 11,1 për qind. Ky është një nga sektorët që prek drejtpërdrejt çdo familje, pasi përfshin shpenzimet bazë të jetesës.
Edhe shërbimet e lidhura me konsumatorin kanë vijuar të shtrenjtohen. Restorantet dhe shërbimet e akomodimit janë bërë më të shtrenjta për 4,5 për qind, ndërsa shëndetësia ka regjistruar një rritje prej 4,1 për qind.
Në të njëjtën kohë, edhe produktet bazë ushqimore nuk kanë mbetur pa lëvizje. Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 3,9 për qind, ndërsa kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme kanë shënuar rritje prej 3,2 për qind.
Rritje janë evidentuar edhe te mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë me 3,0 për qind, veshjet dhe këpucët me 2,3 për qind, si dhe rekreacioni, sporti dhe kultura me 2,0 për qind. Ndërkohë, grupi i informacionit dhe komunikimit ka pasur një rritje minimale prej 0,2 për qind.
Nga të gjitha grupet kryesore, vetëm shërbimet arsimore kanë regjistruar ulje të çmimeve në baza vjetore, me 0,6 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se, ndonëse inflacioni vjetor mbetet i lartë, në krahasim me muajin maj është shënuar një lëvizje e lehtë në drejtim të kundërt. Në qershor 2026, niveli i përgjithshëm i çmimeve ka rënë për 0,1 për qind.
Kjo rënie mujore është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat ranë për 0,6 për qind, si dhe nga ulja prej 0,3 për qind në grupin e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse.
Megjithatë, disa kategori kanë vazhduar të shtrenjtohen edhe gjatë muajit qershor. Rekreacioni, sporti dhe kultura kanë shënuar rritjen më të madhe mujore me 0,8 për qind, ndërsa shërbimet arsimore janë rritur me 0,5 për qind.
“rritje e çmimeve se është regjistruar në grupet: rekreacion, sport dhe kulturë (0,8 %), shërbimet arsimore (0,5 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,4 %), transporti (0,3 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,2 %), mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (0,2 %), restorante dhe shërbime akomodimi (0,2 %), veshje dhe këpucë (0,1%) dhe shëndetësi (0,1%)”.
Po ashtu, janë rritur çmimet në kujdesin personal dhe shërbimet e ndryshme (0,4 për qind), transport (0,3 për qind), pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët (0,2 për qind), mobiljet dhe pajisjet shtëpiake (0,2 për qind), si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit (0,2 për qind). Rritje më të vogla janë regjistruar edhe te veshjet dhe këpucët dhe shëndetësia, me nga 0,1 për qind.
Sipas tabelës së ASK-së, pesha më e madhe në shportën e konsumit vazhdon ta kenë ushqimet dhe pijet joalkoolike, që zënë 327,6 pikë nga 1.000 të indeksit, pasuar nga transporti me 188,5 pikë dhe strehimi, energjia dhe uji me 94,1 pikë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)